/  Blog   /  Albana Laknori – Folës në eventin Shkodra Digjital Weekend
Albana Laknori dhoma e bzinesve dhe industrise tirane digital event global digital city

Albana Laknori – Folës në eventin Shkodra Digjital Weekend

Folëse në panelin e Digjital Skills në eventin Shkodra Digjital Weekend, Albana Laknori dha kontribut përmes fjalës së saj në shtimin e vlerave të këtij eventi.
Kush është Albana Laknori?Albana është Sekretare e përgjithshme e Dhomës së Bisneseve dhe Industrisë në Tiranë. Nëpërmjet projekteve të BE ajo është trajnere mbi temën e sipërmarrjes me fokus motivimin e gruas. Gjithashtu ajo është eksperte në fushën e pronës intelektuale, patentave të inovacionit, dizajnit industrial etj. Ajo ka këshilluar biznese dhe startup-e të reja prej 18 vitesh, si dhe ka punuar në SME si dhe në mbrojtjen e aseteve të IP-ve.

Në këtë seksion Znj. Laknori adresoi pyetjet e mëposhtme, me synimin informimin përmes eksperiencës së saj: Përse është e rëndësishme dhe njëkohësisht problematike mungesa e njohurisë nga ana e një biznesi kundrejt pronës intelektuale? Çfarë do të thotë pronë intelektuale?

Znj. Laknori, eksperte që në vitin 2002, tha se çdo gjë që biznesi prodhon mund të mbrohet. Njëkohësisht mundësia është shumë e madhe që dikush të marrë atë që një biznes po prodhon, sigurisht pa të drejtë pasi ai që e merr nuk e ka prodhuar vetë. Përsa i takon pyetjes se çfarë është prona intelektuale Znj. Laknori nënvizoi disa shembuj të qartë:

-patenta e shpikjes,

-marka tregtare dhe e shërbimit,

-dizajni industrial,

-emërtimi gjeografik,

-e drejta e autorit.

Përse janë të mësipërmet të nevojshme? Sepse, sipas Znj. Laknori, një biznes ka investuar për t’i ndërtuar të gjithë këto. Ky investim merret mbrapsht duke e mbrojtur, duke e rregjistruar dhe duke e pasur investimin pronë. Me fjalë të thjeshta, vlen i njejti krahasim me shtëpinë tonë. Nuk mund të kemi një shtëpi, nëse për të nuk kemi një certifikatë pronësie. Nuk mund të kemi një makinë, nëse nuk kemi certifikatën e makinës. Nëse Coca-Cola nuk do të kishte regjistruar brand-in, recetën (që sot që flasim është në një bankë amerikane e përfshirë), atëherë të gjithë mund ta vidhnin. Ndërkohë çfarë ndodh? Coca-Cola mund ta shesë atë por me lejen e saj, me normat dhe termat e saj.

Për këtë temë do t’ju sugjeroja një film shumë të bukur mbi McDonald – “The founder”, pasi shpjegon shumë mirë se si dy themeluesit e McDonald nuk e mbrojtën dot markën e tyre dhe e humbën atë. Në fund të fjalës së saj, Znj.Laknori tha se zyrat e patentave dhe markave në nivel botëror dhe ndërkombëtar në këtë periudhë Covid-19, duke qenë se është shumë e vështirë të gjenden aparatet e frymëmarrjes intensive, po gjejnë të gjitha patentat e lëshuara që ndoshta askush si ka përdorur dhe po ja japin kompanive. Pra po fiton në të njejtën kohë edhe shpikësi edhe kompania, por më kryesorja po fitojnë pacientët. Kjo është një gjë e bukur! Le të marrim një gjë të bukur nga kjo situatë dhe ta kthejmë në përfitim për veten tonë!